Home » Teknologji » Tregu i celularëve e mbyll vitin 2017 humbje

Tregu i celularëve e mbyll vitin 2017 humbje

Tre kompanitë celulare, Vodafone, Telekom dhe Albtelecom, pësuan një rënie në të ardhurat e përgjithshme prej 8.6% gjatë vitit 2017, ku rënia më e madhe i takoi kompanisë Telekom, bëhet e ditur nga të dhënat e bilanceve të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Të tre kompanitë patën të ardhura të përbashkëta prej 33.5 miliardë lekësh (rreth 257 milionë euro) gjatë vitit 2017, ose 3.1 miliardë më pak se sa në vitin 2015.

Të tre kompanitë patën humbje financiare gjatë vitit të kaluar nga aktiviteti i tyre në masën 6.7 miliardë lekë. Humbjet u rritën me tre herë në krahasim me vitin 2016.

Tregu i celularëve kishte 54 miliardë lekë të ardhura dhe 23 miliardë lekë fitime në vitin 2009, para se nismat rregullatore dhe hyrja në treg e kompanisë Plus të sillte më shumë konkurrencë, çmime më të ulëta komunikimi dhe rrjedhimisht, më pak të ardhura e fitime për kompanitë celulare.

Në veçanti, ulja e tarifës së terminimit të thirrjeve nga ana e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në vitin 2010 si dhe zbatimi me efikasitet i portabilitetit të numrit, (e drejta për të ndryshuar operator pa ndryshuar numrin) solli më shumë konkurrencë mes operatorëve dhe rënie të shpejtë të çmimeve.

Paralelisht me ndërhyrjet rregullatore, ndryshimi i tregut si pasojë e rritjes së përdorimit të internetit si mjet komunikimi mes shqiptarëve, solli reduktimin e shërbimit të terminimit të thirrjeve, (volumit të telefonatave të kryera me sistemin konvencional) dhe rritjen e bisedave të kryera përmes shërbimeve të internetit, të tilla si Skype apo Ëattsup. Përdorimi i shërbimeve të bisedave përmes internetit duket se solli edhe rënien e të ardhurave nga interkonjeksioni për operatorët celularë.

Volumi i trafikut të internetit të përdorur drejtpërsëdrejti përmes rrjeteve celulare është shumëfishuar me shpejtësi gjatë viteve të fundit, por kompanitë celulare nuk disponojnë një kontroll të pastër mbi trafikun përmes internetit, siç dispononin kontroll në trafikun e telefonatave të bëra përmes rrjeteve konvencionale.

Gjithsesi, rënia e volumit të bisedave telefonike konvencionale është fenomen i katër viteve të fundit. Në periudhën 2010-2015, shqiptarët i shtuan telefonatat e tyre paralelisht me rënien e çmimeve.

Vodafone Albania rezultoi kompania më e qëndrueshme në drejtim të të ardhurave gjatë viteve të fundit dhe operatori që ka pasur rënien më të vogël përgjatë viteve. Në vitin 2016, të ardhurat e Vodafone ishin 16.3 miliardë lekë ose 3.4% më pak se sa më 2016. Të ardhurat e Vodafone më 2017 ishin ishin 35% më të ulëta se sa viti 2008, kur kjo kompani realizoi të ardhura në masën 25 miliardë lekë dhe fitime neto në masën 11 miliardë. Rezultati financiar i Vodafone për vitin e kaluar ishte 1 miliardë lekë humbje. Por në krahasim me dy operatorët e tjerë të tregut, rënia e Vodafone përgjatë viteve ka qenë shumë më e ngadaltë. Vodafone kontrollon 48.5% të të ardhurave të tregut.

Telekom Albania, (ish-AMC) pati të ardhura totale prej 8.1 miliardë lekësh gjatë vitit të kaluar, 14% më pak se sa më 2016 dhe dhe 61% më pak se sa në vitin 2008. AMC ishte operatori i parë celular i hapur në Shqipëri si kompani shtetërore në vitin 1996. Në vitin 2000, ajo u shit në masën 85% të aksioneve për 85.6 milionë dollarë, por blerësit ia dolën të fitonin brenda një viti më shumë nga sa kishin paguar për blerjen e kompanisë. Për shembull, në vitin 2008, AMC pati të ardhura në masën 23.5 miliardë lekë dhe fitime neto prej 16 miliardë lekësh.

Albtelekom, kompania historike e telekomunikacionit në Shqipëri e cila u privatizua në vitin 2006, realizoi të ardhura në masën 8.1 miliardë lekë në vitin 2017, me rënie prej gati 12% në krahasim me vitin e mëparshëm. Të ardhurat e Albtelekom kanë qenë pak a shumë të qendrueshme gjatë dekadës së fundit, ndërsa kompania raporton bilanc me humbje të konsiderueshme financiare për shumicën e viteve të dekadës së fundit.

Shqiptarët ishin populli me tarifat më të shtrenjta të komunikimit celular mes viteve 2000 dhe 2010 por sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, tashmë janë populli me tarifat ndër më të ulëtat në Europë. /Reporter

The post Tregu i celularëve e mbyll vitin 2017 humbje appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

About Bruno Sholla

Check Also

Rama: Po vlerësohet mundësia e krijimit të një kuadri rregullator për kriptomonedhat

Në funksion të krijimit të mundësive të reja, por edhe të vendeve të punës që ...