Home » Teknologji » Shqipëria renditet një nga vendet me shpejtësinë e internetit mobil më të lartë në botë

Shqipëria renditet një nga vendet me shpejtësinë e internetit mobil më të lartë në botë

Duke u bazuar në rankimin e SpeedTest Global Index shihet qartë që vendi ynë renditet ne vendin e 25 për shpejtësinë e internetit mobil, duke lënë pas vende mjaft të zhvilluara si Italia, Finlanda, Gjermania, SHBA etj.

Rrjedhimisht ky rezultat të bën të mendosh se kompanitë e telefonisë celulare në vend kanë një performancë shumë të mirë për sa i përket ofrimit të shërbimit të internetit për përdoruesit me akses broadband 3G/4G. Shpejtësia e shkarkimit në Shqipëri nga shërbimi i internetit në celular shkon deri në 35.90 Mbps dhe shpejtësia e ngarkimit deri në 12.78 Mbps, duke kaluar mbi nivelin mesatar në botë që është 23.57 për shkarkim dhe 9.35 për ngarkim.

E kundërta ndodh me shërbimin e internetit fiks broandband ku Shqipëria renditet në vendin e 94 me një shpejtësi shkarkimi 14.52 Mbps dhe shpejtësi ngarkimi 8.42 Mbps kur mesatarja globale është respektivisht 45.48 Mbps dhe 22.18 Mbps.

Këto renditje të bëjnë të mendosh që përdorimi i celularit në Shqipëri është shumë i lartë dhe rrjedhimisht edhe përdorimi i internetit. Nga raporti i fundit i publikuar nga AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) vihet re se për periudhën 2013-2017 ka patur një rritje të ndjeshme të përdorimit të shërbimeve të aksesit broabdand si në numër përdoruesish të këtyre shërbimeve ashtu edhe në volumin e të dhënave.

Në vitet 2016-2017 vihet re një rritje e ndjeshme e trafikut hyrës kombëtar në rrjetet celulare (efekti i masës rregulluese të mos-diskriminimit në thirrjet on-net/off-net) dhe përdorimit të shërbimeve të aksesit broadband (efekti i fillimit të ofrimit të shërbimeve 4G).

Numri i përdoruesve aktivë te aksesit broadband celular ka rritje vetëm me 65% në 2013-2017 por volumi i të dhënave është rritur më shumë se 18 herë gjatë kësaj periudhe. Rritje të ndjeshme këta tregues kanë patur edhe në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016, ku numri i përdoruesve të sherbimeve 3G/4G është rritur me 20%, ndërsa volumi i të dhënave është dyfishuar.

Numri i përdoruesve celularë që kanë përdorur të paktën njëherë aksesin broadband gjatë vitit 2017 ishte rreth 3.3 milionë krahasuar me 2.7 milionë gjatë vitit 2016, që përbën një rritje me 22%. Numri i përdoruesve aktivë (përdorim 3 muajt e fundit) të shërbimeve me akses broadband nga rrjetet celulare (3G/4G nga aparatet celulare dhe me karta USB/modem) në vitin 2017 ishte rreth 2 milionë apo 20% rritje krahasuar me rreth 1.7 milionë në vitin 2015.

Përdorimi i aksesit broadband nga rrjetet 3G/4G nëpërmjet aparateve celulare përbën rreth 94% të totalit të përdoruesve të këtij shërbimi. Rritja e numrit të përdoruesve të aksesit broadband nga rrjetet celulare 3G/4G në vitet e fundit është shoqëruar dhe me rritjen e volumit të të dhënave të transmetuara në rrjetet celulare, si dhe në përdorimin mesatar për përdorues të të dhënave.

Në vitin 2017 ritmi i rritjes së trafikut të të dhënave në rrjetet celulare u ngadalësua në 72%, por kjo vjen pas normave të rritjes 103-148% në 2014-2016. Në periudhën 2013-2017 volumi i trafikut të të dhënave në rrjetet celulare është rritur më shumë se 18 herë.

Megjithëse shërbimet e telefonisë nga rrjetet fikse kanë pasur reduktim të ndjeshëm në 5 vitet e fundit, shërbimet e aksesit broadband nga rrjete fikse kanë pasur rritje të qëndrueshme vjetore gjatë kësaj periudhe kohore. Numri pajtimtarëve me akses broadband fiks në fund të vitit 2017 arriti në rreth 294 mijë, që përbën një rritje me rreth 10.5% në krahasim me vitin 2016. Në vitin 2017 norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjete fikse ishte 37.2% për familje dhe 10.4% për popullsi. Megjithëse numri i pajtimtarëve me akses broadband është në rritje të qëndrueshme, normat e penetrimit janë shumë më të ulëta se ne vendet e BE dhe të rajonit.

Vlen për tu theksuar se tarifat e përdorimit të internetit mobil janë ulur në krahasim me vitet e kaluara, por përsëri mbeten të larta duke marrë parasysh kostot mesatare të jetesës në Shqipëri. E njëjta gjë ndodh edhe me shërbimin e telefonisë fikse ku kostoja e përdorimit është mjaft e lartë dhe rrjedhimisht individët apo familjarët zgjedhin shpejtësinë më të ulët. /PCWorld Albanian

The post Shqipëria renditet një nga vendet me shpejtësinë e internetit mobil më të lartë në botë appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

About Bruno Sholla

Check Also

Screen_Shot_2018_08_20_at_9.04.20_AM.1534769604.png.jpg

Rripi i fitnesit Fitbit Charge 3 vjen sjell ekran dhe jetëgjatësi bateri më të mirë

Mbase industria e veshjeve elektronike sot është e përqendruar e gjitha në orët inteligjente si ...