20 November 2018
Home » Teknologji » Në dy vitet e fundit Telekom i Kosovës ka humbur 66 milion euro

Në dy vitet e fundit Telekom i Kosovës ka humbur 66 milion euro

Gjatë vitit 2016, si dhe gjatë vitit 2017 Telekomi i Kosovës ka humbur më shumë se 65 milionë euro. Në bazë të draftraportit vjetor të siguruar nga gazeta “Zëri” shihet se humbjet gjatë vitit 2016 kanë qenë 50.1 milionë euro, derisa gjatë vitit 2017 kanë qenë 15.1 milionë euro, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Hiç më pak se 66 milionë euro janë humbjet që Telekomi i Kosovës ka pasur gjatë dy vjetëve të fundit.

Duke u bazuar në draftraportin financiar të cilin ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri” shihet se gjatë vitit 2016 Telekomi i Kosovës (TK) ka mbyllur vitin me 50.9 milionë euro humbje, derisa viti 2017 është mbyllur me 15.1 milionë euro humbje.

Në raportin e siguruar thuhet se gjatë vitit 2017 Telekomi i Kosovës ka pasur gjithsej të hyra prej 70 milionë e 593 euro, ku nga shumë 18 milionë euro janë harxhuar për shpenzime operacionale, 26 milionë euro për shërbime të stafit, 12 milionë euro është zhvlerësimi i kompanisë, 9.5 milionë euro është amortizimi, derisa humbja në fund të vitit ka arritur në 15 milionë e 149 mijë euro.

Derisa në vitin paraprak 2016 të hyrat e Telekomit në bazë të dokumenteve të siguruara kanë qenë 75 milionë euro e ku nga kjo shumë 22 milionë euro kanë qenë për shpenzime operacionale, 26 milionë euro për shpenzime të stafit, 13 milionë euro zhvlerësim i kompanisë, 9.7 milionë euro amortizim, si dhe 28.7 milionë euro janë identifikuar si shpenzime për provizionet për vendimet e gjykatave.

“Këto pasqyra financiare janë përgatitur në bazë të hipotezës së vijimësisë që supozon se kompania do të jetë në gjendje t’i mbledhë të farkëtueshmet e saj dhe të shlyejë detyrimet e saj brenda rrjedhës normale të aktivitetit biznesor. Si të tilla, këto pasqyra financiare nuk pasqyrojnë rregullimet dhe riklasifikimet e mundshme të pasurive dhe detyrimeve, të cilat do të kërkohen në rast se kompania nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë me aktivitetet e saja të biznesit”, thuhet në raportin e siguruar.

Aty më tutje thuhet se kompania ka pësuar humbje në operacionet e saj në vitin 2017 në shumën prej 15 milionë eurosh e ku në datën e raportimit humbjet e grumbulluara janë në shumën prej 19.9 milionë eurosh.

Detyrimet tejkalojnë pasuritë

Më tutje në draftraportin të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri” thuhet se më 31 dhjetor  detyrimet rrjedhëse të kompanisë tejkalojnë  pasuritë aktuale në shumën prej 4 milionë e 334 mijë eurosh, derisa në vitin 2016 ato ishin 38 milionë e 553 mijë euro.

“Pjesa më e madhe e humbjeve të ndodhura gjatë vitit 2017 vjen nga trendi në rënie i të hyrave. Duke u bazuar në këto ngjarje e kushte, ekziston një pasiguri materiale që mund të hedhë dyshime të konsiderueshme në aftësinë e kompanisë për të vazhduar me parimin e vazhdimësisë dhe për rrjedhojë që ajo të mos jetë në gjendje të realizojë pasuritë e saj dhe të kryente detyrimet e saj në rrjedhën normale të biznesit”, thuhet më tutje në draftraportin vjetor të Telekomit të Kosovës për vitin 2017.

29 milionë euro provizione për vendime të gjykatave

Në draftraportin e siguruar thuhet se me rastin e vendimit final të Arbitrazhit Ndërkombëtar Telekomi i Kosovës është shpallur përgjegjës me obligim që paditësit “Dardafon” ndërmjet të tjerave t’ia paguajë:

  • T’ia paguajë paditësit dëmet e likuiduara në shumën totale prej 8.785,000 eurosh plus interesin prej 8% duke filluar nga 14 prilli 2015. Kjo shumë përfshin dëmet e likuiduara, të përllogaritura deri në ditën e këtij vendimi përfundimtar.
  • T’ia paguajë paditësit dëmet për humbjen e fitimit në shumën totale prej 17 milionë e 315 mijë eurosh plus normën e interesit prej 8% duke filluar nga 14 prilli 2015.
  • T’ia paguajë paditësit dëmet e likuiduara prej 5.000 eurosh në çdo rast të vonesës së mëtejshme dhe për çdo ditë duke filluar nga data e këtij vendimi, derisa pala e paditur ta zbatojë vendimin siç parashihet në urdhërnenin 1, paragrafi a dhe b, por vetëm nëse dhe deri në masën kur shuma totale e atyre penalltive tejkalon shumën prej 17.315.000 eurosh.
  • T’ia paguajë paditësit 75% të kostove të tij të shkaktuara në procedurat e Arbitrazhit, me përjashtim të kostove të shkaktuara nga stafi i brendshëm i paditësit, që nënkupton shumën prej 972.121 eurosh dhe shumën prej 534.000 dollarësh.
  • T’ia paguajë paditësit interesin e përllogaritur prej 8 për qind duke filluar nga 14 prilli 2015 deri më 31 dhjetor 2016 në shumën prej 3.572.000 eurosh.

Gjykata e Londrës refuzoi në tërësi padinë e Telekomit

Më tutje në drafraportin vjetor të Telekomit të Kosovës për vitin 2017 thuhet se pas pranimit të vendimit final të Arbitrazhit në rastin legal “Dardafon” kundër Telekomit të Kosovës konform instruksioneve të Bordit dhe duke u bazuar në mundësitë ligjore janë iniciuar këto procedura.

– Është ngritur padi në gjykatën kompetente në Londër, Britani e Madhe (Gjykata: High Court of Justice /Administrative and Comercial Court) me të cilin është sfiduar sikurse vendimi parcial, ashtu edhe vendimi final i Arbitrazhit. Kjo gjykatë në seancën e datës 03 prill 2017 ka refuzuar në tërësi padinë e Telekomit të Kosovës.

– Është ngritur padi për anulimin e vendimit të Arbitrazhit në gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, por deri më tash lënda nuk është vendosur.

– Është iniciuar propozimi për ngritjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë te prokurori i Shtetit. Kjo iniciativë ndërkohë është mbështetur/aprovuar nga prokurori i Shtetit dhe janë iniciuar veprimet adekuate ligjore për rastin, por edhe kjo lëndë deri më tash nuk është vendosur.

– Është kundërshtuar propozimi i “Dardafon”-it për njohje dhe ekzekutim të vendimit të Arbitrazhit në Republikën e Kosovës. Kjo procedurë është iniciuar pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Aty më tutje thuhet se pas një vlerësimi të situatës në rastin me të pafavorshëm shuma prej 31.178.920 eurosh mbetet si humbje e mundshme dhe kompania ka bërë rezervimin e provizionit në shumë të plotë, duke mos llogaritur kamatat potenciale për vonesat deri në ekzekutimin e vendimit. /Zëri.info

The post Në dy vitet e fundit Telekom i Kosovës ka humbur 66 milion euro appeared first on PCWorld Albanian.


(ICT Media)

About Bruno Sholla

Check Also

Startup Grind Tirana mirëpret themeluesit e Pastaria Aldo Rama dhe Edor Moci më 26 Nëntor

Startup Grind do të vijojë me takimin e radhës i cili mbahet më 26 Nëntor ...